Çfarë pajisjesh duhen për të hapur një parukeri

Zonë pritjeje me divan bezhë

Hapja e një parukerie nis me një listë. Pa të, blerjet bëhen copa copa, gjërat nuk përputhen me njëra tjetrën dhe në fund dalin më shtrenjtë. Më poshtë gjeni gjithçka që i duhet një salloni flokësh për të filluar punën, të ndarë sipas zonave, me shënime nga përvoja jonë me sallonet në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Zona e punës: stacioni i parukeres

Stacioni është vendi ku kalon pjesa më e madhe e ditës. Për çdo parukere ju duhet një poltron prerjeje, një pasqyrë me ndriçim dhe një sipërfaqe për veglat. Poltroni duhet të jetë hidraulik, me bazë të rëndë që nuk lëkundet, dhe me lëkurë që pastrohet lehtë. Ngjyrat e zeza dhe bezhë janë më praktike, ato të bardhat kërkojnë më shumë kujdes.

Një sallon me dy parukere punon rehat me tre stacione: dy për prerje dhe një për make up ose për klientët që presin ngjyrën. Mos i ngjeshni stacionet; rreth 1.2 metra hapësirë mes tyre është minimumi që parukerja të lëvizë lirshëm rreth klientit.

Zona e larjes

Lavatesta është pajisja që klientët e ndiejnë më shumë. Një lavateste e pakëndshme vihet re menjëherë, ndërsa një e rehatshme me masazh mbahet mend. Për një sallon të vogël mjafton një, për tre ose më shumë stacione rekomandojmë dy. Kontrolloni që lavamani të jetë qeramikë dhe rubineti të ketë dush me tub të gjatë.

  • Lavateste me lavaman qeramike dhe mbështetëse qafe
  • Lidhje uji të ngrohtë dhe të ftohtë dhe shkarkim në vendin ku do të vendoset
  • Raft ose karrel pranë saj për shampot dhe peshqirët

Trajtimet dhe ngjyra

Nëse bëni ngjyra, trajtime keratine ose dauer, ju duhet një avullore ose një tharëse me kaskë. Avullorja shkurton kohën e ngjyrës dhe përmirëson rezultatin e trajtimeve, ndërsa kaska është e domosdoshme për dauer dhe për tharjen e flokëve me bigudina. Të dyja montohen në stativ me rrota dhe lëvizen nga stacioni në stacion.

Pritja dhe recepsioni

Pritja është përshtypja e parë. Edhe në një sallon të vogël, një banak i vogël recepsioni dhe dy tre karrige pritjeje e ndryshojnë plotësisht pamjen. Këtu mbahen edhe produktet për shitje, që janë një burim i mirë të ardhurash shtesë.

Aksesorët që harrohen gjithmonë

Këto blihen zakonisht në minutën e fundit, prandaj po i shënojmë që tani: mantela prerjeje dhe ngjyre, peshqirë, kapëse, sterilizues për veglat, kosh me kapak për flokët, pasqyrë dore për t’i treguar klientit pjesën e pasme, dhe një stol me rrota për parukeren kur punon ulur. Gjeni një pjesë të mirë te aksesorët dhe produktet.

Të reja apo të përdorura?

Për poltronët dhe lavatestat, mobiljet e përdorura në gjendje të mirë janë një mënyrë e zgjuar për të ulur koston e hapjes. Për tharëset, piastrat dhe gjithçka që ka motor, këshillojmë të reja. Kemi shkruar një udhëzues të veçantë për mobiljet e reja kundrejt të përdorurave.

Sa kushton e gjitha?

Varet nga numri i stacioneve, nga lloji i mobiljeve dhe nga ajo që blini e re apo të përdorur. Mënyra më e shpejtë për të marrë një shifër reale: na dërgoni në WhatsApp hapësirën tuaj në metra katrorë dhe numrin e parukereve, dhe ju kthejmë një propozim me foto të produkteve që kemi në stok. Transport bëjmë në të gjithë Shqipërinë.